Inspektorati fillon hetimin e reagimit të policëve në protestën për vizitën e Trendafilovës

Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar një hetim preliminar lidhur me reagimin e policëve në menaxhimin e protestës gjatë vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, raporton teve1.info

Sipas komunikatës së IPK-së, ky institucion ka filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme.

“Hetuesit e IPK-së sipas detyrës zyrtare (ex officio) kanë filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme në Prishtinë që ndërlidhet me vizitën e Kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

Lidhur me reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë të ndryshëm si dhe vet Asosiacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar”, thuhet në komunikatë.