Interi mposhtet nga Sassuolo

Sassuolo ka marrë tre pikë të mëdha në Giuseppe Meazza, pasi ka mposhtur 2-0 Interin në kuadër të javës së 26-të në Serie A.

Pas vetëm tetë minutash lojë, mysafirët kaluan në epërsi me anë të Giacomo Raspadori, derisa Domenico Berardi ishte asistuesi.

Por, Sassuolo arriti të tunde edhe një herë rrjetën e kampionit në fuqi në pjesë të parë, tani me anë të Gianluca Scamacca (26’), ndërsa Hamed Junior Traore ishte asistuesi.

Me këtë rezultat, dy skuadrat shkuan në pushimin mes pjesëve, derisa në 45 minutat e dytë nuk është se treguan shumë.

Interi tentoi që nga ky takim të largohej me një pikë, mirëpo e kishin të vështirë ta thyenin mbrojtjen kundërshtare.

Nerazzurët lëshuan mundësin e artë që të kalonin mbi Milanin që është lider, por ka një ndeshje më shumë.

Pas javës së 26-të, Interi gjendet në vendin e dytë me 54 pikë, derisa në xhiron e 27-të do të kenë punë me Genoan.