IOM: Mbi 12 milionë ukrainas të zhvendosur brenda dhe jashtë vendit për shkak të luftës

Ky vlerësim i kreut të IOM-së erdhi gjatë një seance informuese në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth situatës humanitare në Ukrainë, ku ai vuri në pah se nevojat psikologjike të fëmijëve dhe të rriturve do të rriten gjithashtu ndërsa sulmet e Rusisë intensifikohen në Ukrainë.

Vitorino theksoi se gratë dhe fëmijët duhet të mbrohen nga trafikimi i qenieve njerëzore, abuzimi e dhuna seksuale.

Duke tërhequr vëmendjen mbi faktin që më shumë se gjysma e fëmijëve në Ukrainë janë zhvendosur, Antonio Vitorino u bëri thirrje vendeve që po i strehojnë këta fëmijë, që të ofrojnë ndihmë të pakursyer për identifikimin e fëmijëve të pashoqëruar dhe për t’i bashkuar ata me familjet apo të afërmit e tyre.

Shefi i Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin kërkoi që t’i jepet fund diskriminimit të refugjatëve duke potencuar se diskriminimi për shkak të racës, etnisë, kombësisë ose statusit të emigrantit është i papranueshëm.

Kelly T. Clements, zyrtare e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), bëri me dije të mërkurën herët se numri i refugjatëve ukrainas ka arritur në afro 5 milionë. /trt