Ballina Lajmet Kosovë IPK-ja arrestoi një zyrtar policor të dyshuar për dhunë në familje

IPK-ja arrestoi një zyrtar policor të dyshuar për dhunë në familje

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përkatësisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se ai ka kryer veprën penale “dhunë në familje”. IPK-ja ka pranuar mbrëmë informacione lidhur me dyshimin së një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) në Pejë ka kryer veprën penale dhunë në familje.

Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes, duke intervistuar viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij. Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.