Iran, protestat pas shembjes së qendrës së biznesit shndërrohen në dhunë – VIDEO

Protestat që nisën me shembjen e një qendre biznesi dhjetëkatëshe, e cila la të vdekur të paktën 28 ​​persona në qytetin Abadan në provincën Khuzestan të Iranit jugperëndimor, u shndërruan në incidente të dhunshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars, mbrëmë u mbajtën demonstrata në shumë pika të provincës Khuzestan dhe qytetet Isfahan, Yazd dhe Shahinshahr në solidaritet me familjet e atyre që humbën jetën në fatkeqësinë e 23 majit.

Policia ndërhyri kur protestuesit e mbledhur pranë godinës së shembur në demonstratat në Abadan donin të hynin në zonën e rrënojave.

Forcat e sigurisë ndërhynë me gaz lotsjellës dhe hapën zjarr në ajër për të shpërndarë turmën.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, shihet se demonstruesit thirrin parulla kundër qeverisë, administratës së vendit dhe kontraktorit të ndërtesës, ndërsa kishte përplasje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve.

Qytetet Abadan, Bender Abbas dhe Behbehan në Khuzestan dhe Shahinshahr në provincën e Isfahanit ishin skena të demonstratave të enjten mbrëma, 26 maj.

Deri më tani 13 persona janë arrestuar në lidhje me protestat.

Qendra e Biznesit dhjetëkatëshe Abadan Metropol, e cila ishte në ndërtim e sipër, u shemb mesditën e 23 majit. Bëhet e ditur se deri më tani nga kjo ngjarje kanë humbur jetën 28 ​​persona. /aa