Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irani arreston 8 të huaj për lidhje të dyshuara me “shërbimet e...

Irani arreston 8 të huaj për lidhje të dyshuara me “shërbimet e inteligjencës së huaj”

Autoritetet iraniane kanë arrestuar tetë shtetas të huaj në juglindje të vendit për lidhje të dyshuara me “shërbime të huaja të inteligjencës”, transmeton Anadolu.

Agjencia gjysmë-zyrtare Mehr tha se tre të huaj të tjerë u vranë gjatë një operacioni sigurie në kufirin juglindor të Iranit. Autoritetet nuk specifikuan kombësinë e të arrestuarve apo të vrarëve në bastisje.

Mehr raportoi se sasi të mëdha armësh të ndryshme u zbuluan dhe u sekuestruan nga strehimet dhe shtëpitë e sigurta të shënjestruara, përfshirë lëshues RPG-7, pushkë M4 të prodhimit amerikan të pajisura me pajisje shikimi nate, disa pushkë AK-47 të pajisura me hedhës granatash si dhe pistoleta.

Gjatë marrjeve fillestare në pyetje, të dyshuarit e arrestuar dyshohet se pranuan përfshirjen e tyre në një sulm të fundit ndaj një pike kontrolli policor në qytetin qendror Kerman, ku u vranë tre oficerë dhe një civil, sipas agjencisë.

Bastisja vjen mes tensioneve në rritje midis Iranit dhe SHBA-së, përpara një raundi të ri negociatash të tërthorta mbi programin bërthamor mes dy palëve, nën ndërmjetësimin e Omanit në Gjenevë të enjten.

SHBA-ja ka rritur ndjeshëm praninë e saj ushtarake në rajonin e Gjirit Persik ndërsa Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) zhvilluan një seri stërvitjesh ushtarake për çdo konflikt të mundshëm.