“Irani dhe Arabia Saudite përgatiten për hapjen e ambasadave”

Gjashtë vite pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, Irani dhe Arabia Saudite ngadalë po shkojnë drejt afrimit dhe përgatiten për të rihapur ambasadat, bëri të ditur deputeti iranian Jalil Rahimi Jahanabadi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Jahanabadi, anëtar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme të Parlamentit iranian, përmes një postimi në Twitter të shtunën tha se të dy vendet janë në rrugën e duhur për të rinovuar lidhjet e tyre të prishura.

Problemet në marrëdhëniet e të dy vendeve u ngritën në janar 2016 pas sulmeve ndaj dy misioneve diplomatike saudite në Teheran dhe Mashhad, të shkaktuara nga ekzekutimi i udhëheqësit fetar shiit Sheikh Baqir Nimr në Arabinë Saudite.

Përpjekjet për të përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara janë intensifikuar kohët e fundit në katër raunde bisedimesh midis zyrtarëve të këtyre vendeve për zbutjen e tensioneve në Bagdad që nga prilli i vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e qeverisë irakiane.

Jahanabadi tha se afrimi i Teheranit dhe Riadit mund të kontribuojë në “uljen e tensioneve rajonale dhe rritjen e kohezionit të botës muslimane”.

Ai paralajmëroi agjencitë shtetërore të sigurisë dhe mediat për ato që ai i quajti “aktivitete sioniste dhe lëvizje radikale” për të penguar përpjekjet për të rivendosur marrëdhëniet me Riadin.

Negociatat për përfundimin e konfliktit u iniciuan nga qeveria e mëparshme iraniane dhe vazhduan nën administratën e re të Ebrahim Raisit. Në fillim të këtij muaji, ministri i jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian shprehu gatishmërinë e Teheranit për të rifilluar bisedimet me Riadin, të cilat u ndërprenë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Irak. Në konferencën e parë për shtyp pas fitores së zgjedhjeve në qershor të vitit të kaluar, Raisi tha se “nuk ka asnjë pengesë” për dialogun me Arabinë Saudite dhe rihapjen e ambasadave. /aa