Fëmijët në Gaza falënderojnë studentët në SHBA për mbështetjen

Fëmijët palestinezë u mblodhën në pjesën qendrore të Rripit të Gazës për të shprehur mirënjohjen ndaj studentëve të universiteteve amerikane në mes të ofensivës së vazhdueshme të Izraelit, raporton Anadolu.

“Faleminderit studentëve të guximshëm në universitetet amerikane” dhe “Faleminderit që qëndroni me Gazën”, shkruanin disa pankarta të valëvitura nga fëmijët në qytezën Deir al-Balah.

“Ne shprehim vlerësimin tonë për studentët e universiteteve amerikane për solidaritetin e tyre me popullin palestinez”, tha për Anadolu, Awani Khattab, një palestinez i zhvendosur.

“Studentët arabë dhe evropianë duhet të ndjekin këta studentë për t’i dhënë fund të plotë luftës në Gaza”, shtoi ai.

Një grua palestineze, e cila preferoi të mbetet anonime, u bëri thirrje studentëve arabë të universitetit “të qëndrojnë me popullin palestinez në mes të luftës izraelite në enklavë”.

“Studentët në universitetet amerikane ndjejnë empati me vuajtjet tona. Ne e vlerësojmë qëndrimin e tyre të guximshëm”, tha ajo.

Studentët në universitetet amerikane kanë protestuar që nga muaji i kaluar kundër luftës izraelite në Gaza dhe investimeve të universiteteve të tyre në kompanitë që mbështesin Izraelin.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në enklavën palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.500 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 77.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.