Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei tha se Teherani i ka përshkruar kërkesat e tij “bazuar në interesat kombëtare” dhe i ka komunikuar ato përmes palëve të treta
Irani tha sot se i ka përcjellë kërkesat e tij për armëpushim të mundshëm me SHBA-në përmes ndërmjetësve, duke treguar se kontaktet indirekte janë duke vazhduar me Washingtonin për t’i dhënë fund konfliktit të tyre aktual.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei tha në një konferencë për media se Teherani i ka përshkruar kërkesat e tij “bazuar në interesat kombëtare” dhe i ka komunikuar ato përmes palëve të treta.
“Ne kemi formuluar kërkesat tona bazuar në interesat dhe konsideratat tona. Nuk turpërohemi të shprehim kërkesat tona legjitime dhe logjike”, tha ai kur u pyet nëse ka ndonjë plan të ri për t’i dhënë fund luftës midis Iranit dhe SHBA-së.
“Qëndrimet e Iranit janë përcjellë përmes ndërmjetësve”, tha Baqaei duke shtuar se shkëmbimi i mesazheve përmes palëve të treta “është normal dhe i vazhdueshëm”. Ai theksoi se gatishmëria e Iranit për të deklaruar qartë qëndrimet e tij “nuk duhet të interpretohet si një shenjë tërheqjeje”.
“Shprehja e qëndrimeve tona shpejt dhe me guxim nuk duhet të interpretohet si tërheqje”, tha ai duke potencuar se Irani i ka përgatitur përgjigjet e tij dhe do t’i shpallë ato kur të jetë e nevojshme.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani mbi 1.340 njerëz, përfshirë ish-liderin suprem Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa kanë prishur tregjet dhe aviacionin global.








