Irani ka konfiskuar të shtunën një tanker të huaj të naftës në Gjirin Persik, duke pohuar se transportonte naftë të kontrabanduar, njofton agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një kumtese, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) tha se anija u konfiskua në afërsi të ishullit Farsi.
Në kumtesën e IRGC-së thuhet se tankeri transportonte 700.000 litra naftë të kontrabanduar dhe është dërguar në portin Bushehr.
Mbetet e paqartë kombësia e anijes së konfiskuar.
Muajin e kaluar, Irani konfiskoi një tanker me flamur britanik në Ngushticën strategjike të Hormuzit, në një veprim hakmarrës për konfiskimin e një anijeje iraniane në territorin britanik të Gjibraltarit.




