Irani herët të premten mohoi se ka lëshuar raketa apo dronë drejt vendeve të Gjirit që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, duke hedhur poshtë raportimet mediatike për sulme ndaj objekteve në disa vende të rajonit.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare Fars, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike tha se forcat e armatosura iraniane “nuk kanë lëshuar asgjë drejt asnjë vendi” gjatë armëpushimit.
“Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit nuk kanë kryer asnjë lëshim drejt asnjë vendi gjatë armëpushimit deri në këtë moment”, thuhet në deklaratë.
IRGC shtoi se, nëse raportimet janë të vërteta, ato janë vepër e asaj që e quajti “armiku sionist” ose e Shteteve të Bashkuara.
Sipas IRGC-së, Irani do të njoftojë publikisht çdo sulm të kryer nga forcat e tij.
Ajo theksoi se çdo goditje e kryer nga forcat iraniane do të shpallet zyrtarisht, duke shtuar se çdo veprim që nuk njoftohet nga Teherani nuk i përket Iranit.
“Çdo veprim që nuk përfshihet në deklaratat zyrtare të Republikës Islamike të Iranit nuk ka të bëjë me ne”, shtohet më tej.
ShBA dhe Irani njoftuan të martën një armëpushim dyjavor, të ndërmjetësuar nga Pakistani, si një hap drejt një marrëveshjeje më të gjerë për ndalimin e konfliktit të nisur nga Uashingtoni dhe Tel Avivi kundër Teheranit më 28 shkurt, i cili ka lënë mijëra të vrarë dhe të plagosur.
Ndërsa Islamabadi dhe Teherani thanë se armëpushimi përfshin edhe Libanin, Uashingtoni dhe Tel Avivi e mohuan këtë.








