Irani: SHBA nuk mund të arrijë rezultate me mentalitetin e Trump-it

Saeed Khatibzadeh

Zëdhënësi i ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Saeed Khatibzadeh, tha se SHBA-ja nuk mund të arrijnë rezultate me mentalitetin e ish-presidentit Donald Trump dhe se nuk do të pranojnë asgjë më pak se marrëveshja bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në kryeqytetin Teheran, Khatibzadeh theksoi se Irani do të kthehet në angazhimet e tij nëse SHBA-ja kthehet në marrëveshjen bërthamore dhe heq sanksionet.

“SHBA-ja nuk mund të arrijë rezultate me mentalitetin e Trump-it. Edhe mentaliteti duhet të ndryshojë edhe duhet parë realiteti në terren. Edhe ne edhe ata e dinë që politika e presionit maksimal ka dështuar. Irani nuk pranon asgjë më pak se marrëveshja bërthamore”, tha Khatibzadeh.

Lidhur me rifillimin e bisedimeve në Vjenë, Khatibzadeh tha: “Ne kurrë nuk i kemi braktisur këto bisedime. Meqenëse ka një ndryshim në administratë, do të ketë ndryshime edhe në ekipin negociator. Presidenti tha se ai nuk ka hezitim për heqjen e sanksioneve. Ky proces do të vazhdojë.”

Ai theksoi se ata kishin shumë takime në lidhje me zhvillimet në Afganistan dhe sipas tij, zgjidhja e vetme ishte krijimi i një qeverie shumëpalëshe.

“Ka zhvillime në kufijtë tanë, ne u përpoqëm të dërgojmë një mesazh që kufiri iranian duhet të mbetet i qetë. Talebanët janë pjesë e së ardhmes së Afganistanit. Ne thamë se jemi gati të mbështesim negociatat”, tha Khatibzadeh.

Ai shtoi gjithashtu se ministri i Jashtëm i Irakut, Fuad Hussein, do të vizitojë Teheranin së shpejti. /aa