Irani ka shprehur gatishmëri për kompromis përpara raundit të ri të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, që pritet të zhvillohen të enjten në Gjenevë. Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi, deklaroi se Teherani është i gatshëm të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të arritur një marrëveshje.
“Jemi të gatshëm të arrijmë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Do të hyjmë në negociata me ndershmëri dhe vullnet të mirë,” tha ai për mediat shtetërore, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj Iranit do të marrë përgjigje sipas planeve mbrojtëse të vendit.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti amerikan, Donald Trump, e konsideron diplomacinë si opsionin e parë, por është i gatshëm të përdorë forcë ushtarake nëse e sheh të nevojshme.
Sipas një zyrtari të lartë iranian, Teherani po shqyrton mundësinë që të dërgojë jashtë vendit gjysmën e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, të hollojë pjesën tjetër dhe të marrë pjesë në krijimin e një konsorciumi rajonal për pasurimin e uraniumit. Në këmbim, Irani kërkon njohjen e të drejtës për “pasurim bërthamor paqësor” dhe heqjen e sanksioneve ekonomike.
Bisedimet do të zhvillohen në Gjenevë, ku pritet të takohen përfaqësues amerikanë dhe delegacioni iranian.
Negociatat po rifillojnë në një kohë kur SHBA-ja ka shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa Irani ka paralajmëruar se do të godasë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet.
Përpjekjet e mëparshme për marrëveshje dështuan për shkak të mospajtimeve mbi kërkesën amerikane që Irani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit në territorin e tij. Teherani mohon se synon prodhimin e armëve bërthamore. /mesazhi





