Ish-diplomati amerikan vijon dëshminë në Hagë, merret në pyetje nga avokati i Thaçit

Ish-shefi i misionit mbikëqyrës diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shaun Byrnes, po vazhdon dëshminë para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq.

Avokati i Thaçit ka lexuar një kabllogram që Byrnes pohoi se e kishte përgatitur ose rishikuar vetë.

“UÇK-ja vazhdon të rritet efektivisht nga pikëpamja ushtarake. Oficerë të lartë pretendojnë që në rangjet e veta kanë 35 mijë ushtarë, shërbimet e zbulimit serb besojnë se ka 30-35 mijë trupa prej të cilëve besojnë se 8 mijë janë të rregullt”, ka lexuar Mishetiq kabllogramin të 4 shkurtit 1999.

Mirëpo, ish-diplomati amerikan ka shtuar se këto i përgjigjeshin komandantëve të zonave.

“Trupat e parregullt ishin vendase, thjeshtë banorë të zonës që mbronin fshatrat e tyre ose fshatrat ngjitur në rastin më të mirë. Por nuk ishin të organizuar si forcë ushtarake…Për mua si e kuptoja unë, këto forca lokale ishin në zinxhirin komandues të komandantëve të zonës”, ka thënë Byrnes.