Ish-kabineti i Haradinajt mban “trofeun” për shpenzimet më të larta

Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti, ka publikuar mesataren e shpenzimeve ditore dhe mujore të kabinetit të kryeministrit Kurti dhe ish-kabineteve tjera qeveritare.

Sipas të dhënave të paraqitura nga ai, kabineti i kryeministrit Kurti, mesataren e shpenzimeve ditore e ka 1.981 euro, shifër kjo më e ulëta krahasuar me kabinetet e ish-qeverive. Sipas tij, shifrat janë krahasuar nga viti 2008 deri në vitin 2021.

Mesataren e shpenzimeve më të larta, sipas të dhënave të paraqitura nga Dalipi, e mban kabineti i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, me 8.325 euro. Pas tij është kabineti i ish-kryeministrit Thaçi II me 4.041 euro, kabineti i ish-kryeministrit Isa Mustafa me 3.713 euro, kabineti i ish-kryeministrit Hoti me 3.276 euro, pastaj kabineti i Thaçi I me 2.608 euro dhe Kurti I me 1.188 euro.

“Kabineti Kurti më i përgjegjshëm në shpenzime se Kabineti— Hoti për 65%, Haradinaj për 320%, Mustafa për 87%, Thaçi II 104%, dhe Thaçi I për 32%”, ka shkruar ai.

Në shpenzimet mujore, sipas këtyre të dhënave, ish-kabineti i Haradinajt ka arritur shpenzimet në 101.362 euro, shifra më e lartë, dhe Kurti II me 10.851 shifra më e ulët.