Ish-kryeshefi i KPM-së dënohet me dy vjet burgim për kërkim dhe marrje ryshfeti

Ish-kryeshefi i KPM-së, Luan Latifi, shpallet fajtor për kërkim dhe marrje ryshfeti. Ai u dënua me dy vite burgim dhe me gjobë prej pesë mijë euro, raporton Tëvë 1.

Ndaj Latifit, Gjykata Themelore në Prishtinë, mori vendim edhe për ndalim të ushtrimit të funksionit publik në kohëzgjatje prej tre vitesh.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

Ish drejtori i Administratës së KPM-së, Arben Bilalli, kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare, me ç’rast Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.