Ish-zëdhënësi i KFOR-it: Nëse policët janë arrestuar në Kosovë, është shkelur rezoluta 1244

Ish-zëdhënësi i misionit të KFOR-it në Kosovë, Vincent Grasso, ka reaguar pas kidnapimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Policia Speciale e Serbisë në territorin e Kosovës.

Sipas tij, nëse vërtetohet se arrestimi ka ndodhur në Kosovë, Serbia e ka shkelur Marrëveshjen Teknike Ushtarake dhe Rezolutën 1244.

“Nëse konfirmohet se “arrestimi” ka ndodhur në Kosovë, është shkelje e qartë e Marrëveshjes Teknike Ushtarake dhe Rezolutës 1244, prandaj @NATO_KFOR duhet të hetojë.Gjithsesi, a është rastësi që ka ndodhur derisa në Beograd, Vuçiq po takohej me KFOR-in? Dyshoj!”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, kryeministri, Albin Kurti ka thënë sot në një konferencë për media se kidnapimi ka ndodhur brenda territorit.

Ai tha se për këtë kanë edhe prova të cilat janë në dijeni edhe KFOR-i.

“Ata nuk kanë mundur të kalojnë tutje siç pretendon Serbia. Ata nuk janë arrestuar në Serbi, por janë kidnapuar në Kosovë… Aty janë gjetur gjurmë të këpucëve dhe pranga në drejtim të Serbisë, pikërisht aty ku ka ndodhur kidnapimi. Ajo që më habit është që edhe përkundër shpërfaqjes së të vërtetës KFOR-i nuk del ende me sqarim se ku është ky vend”, tha ai