Izrael, politikani homoseksual emërohet kryetar i parlamentit

Amir Ohana

Partia e djathtë Likud e kryesuar nga kryeministri i nominuar Benjamin Netanyahu ka emëruar Amir Ohana-n, një politikan i deklaruar homoseksual, në krye të parlamentit të Izraelit (Knesset), transmeton Anadolu Agency (AA).

Ohana, 46 vjeç, ka shërbyer më parë si ministër i sigurisë publike dhe është bashkëpunëtor i ngushtë i Netanyahu-t.

Në një postim në Twitter, Netanyahu tha se i uron fat Ohana-s në detyrën e re.

Të martën, kryetari i përkohshëm i Knesset-it, Yariv Levin, dha dorëheqjen ndërsa përgatitet të marrë një post ministror në qeverinë e ardhshme të Netanyahu-t.

Në vitin 2015, Ohana u zgjodh deputet në Knesset për herë të parë dhe që atëherë ka mbajtur ulësen e tij.

Në vitin 2011, Ohana themeloi Likud Pride, një organizatë konservatore LGBT.

Ohana është aktivist për të drejtat e homoseksualëve që mbështet martesat e së njëjtës gjini, të cilat nuk njihen në Izrael, përveç nëse kryhen jashtë vendit.

Emërimi vjen mes shqetësimeve në rritje në Izrael mbi përpjekjet e aleatëve të ekstremit të djathtë të Netanyahu-t për të ndryshuar ligjin kundër diskriminimit.

Amendamenti i propozuar synon t’u japë dyqaneve private të drejtën për të refuzuar një shërbim nëse ai cenon besimet fetare të shitësit dhe për sa kohë që shërbimi ose produkti nuk është “unik” dhe mund të gjendet në një dyqan pranë me çmim të ngjashëm.

Amendamenti ka ngritur shqetësime në aktivitetet tregtare, që dyqanet mund të refuzojnë të ofrojnë shërbime për anëtarët e komunitetit LGBT.

Të hënën, Netanyahu njoftoi refuzimin e deklaratave të aleatëve të tij të ekstremit të djathtë kundër komunitetit LGBT.

Knesset pritet të mblidhet të enjten për t’i dhënë votëbesimin qeverisë së koalicionit të Netanyahut.