Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli bllokon OKB-në nga tërheqja e ndihmave për Gazën

Izraeli bllokon OKB-në nga tërheqja e ndihmave për Gazën

Stéphane Dujarric

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stéphane Dujarric, ka deklaruar se rreth 600 kamionë me ndihma humanitare ndodhen në anën e Gazës në pikën kufitare Karem Abu Salem (e njohur edhe si Kerem Shalom), por Izraeli po pengon marrjen e tyre nga OKB-ja prej tre ditësh.

Dujarric sqaroi se OKB-ja duhet të koordinohet me COGAT-in, agjencinë izraelite që menaxhon aktivitetet në territoret palestineze të pushtuara.

“Na duhet miratimi i Izraelit për të shkuar të marrim materialet dhe për t’u kthyer. Gjithashtu, rruga që na është dhënë si e sigurt nuk është e tillë për personelin dhe ngarkesat tona,” tha ai.

Ai shtoi se hera e fundit që OKB-ja arriti të dërgonte ndihma në Gaza ishte kur të dyja palët, OKB-ja dhe autoritetet izraelite, kishin rënë dakord për itinerarin.

“Problemi kryesor është pasiguria e vazhdueshme, dhe për të qenë të sinqertë, ata nuk po na e bëjnë të lehtë shpërndarjen e ndihmave humanitare,” theksoi Dujarric. /mesazhi