Izraeli e njohu sot rajonin separatist të Somalisë, Somalilandin, si shtet të pavarur dhe sovran, një veprim që pritet të sjellë një valë reagimesh dënuese në rajon, transmeton Anadolu.
“Unë shpalla sot zyrtarisht njohjen e Republikës së Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran”, tha në një deklaratë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas deklaratës, Netanyahu, së bashku me ministrin e Jashtëm Gideon Sa’ar dhe presidentin e Somalilandit Abdirahman Mohamed Abdullahi, “nënshkruan një deklaratë të përbashkët dhe reciproke”.
“Kjo deklaratë është në frymën e Akordeve Abrahamike, të nënshkruara me nismën e Presidentit Trump”, ka thënë ai.
Akordet Abrahamike janë marrëveshje të nënshkruara në vitin 2020 midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Sudanit dhe Marokut për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas deklaratës, Netanyahu e ka ftuar presidentin e Somalilandit për një vizitë zyrtare në Izrael.
Nuk pati menjëherë ndonjë reagim nga qeveria somaleze lidhur me deklaratën e Netanyahut.
Somalilandi, i cili ka qenë pa njohje zyrtare që prej shpalljes së pavarësisë nga Somalia në vitin 1991, funksionon si një ent de fakto i pavarur administrativ, politik dhe i sigurisë, me qeverinë qendrore që nuk arrin të ushtrojë kontroll mbi rajonin dhe me udhëheqjen e tij që nuk ka mundur të sigurojë njohje ndërkombëtare të pavarësisë.
Qeveria somaleze refuzon ta njohë Somalilandin si shtet të pavarur, e konsideron atë pjesë integrale të territorit të saj dhe çdo marrëveshje direkte apo angazhim me të e sheh si shkelje të sovranitetit dhe unitetit të Somalisë.



