Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli miraton fshehurazi 22 vendbanime të reja ilegale në Bregun Perëndimor

Izraeli miraton fshehurazi 22 vendbanime të reja ilegale në Bregun Perëndimor

Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka miratuar fshehurazi ndërtimin e 22 vendbanimeve të reja ilegale në tokat palestineze të pushtuara në Bregun Perëndimor, raportoi gazeta izraelite Yedioth Ahronoth të martën.

Sipas gazetës, vendimi është marrë dy javë më parë dhe përfshin rikthimin e vendbanimeve të paligjshme Homesh dhe Sa-Nur, të cilat u çmontuan në vitin 2005 gjatë planit izraelit të tërheqjes nga Rripi i Gazës.

Propozimi u paraqit nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich.

Presidenca palestineze e dënoi ashpër këtë vendim, duke e cilësuar si “një përshkallëzim të rrezikshëm që e shtyn rajonin drejt dhunës dhe paqëndrueshmërisë”.

Zëdhënësi presidencial, Nabil Abu Rudeineh, tha se ky hap sfidon ligjin ndërkombëtar dhe legjitimitetin global, duke përfshirë edhe Jerusalemin Lindor në vendbanimet e planifikuara.

Më 12 maj, kabineti izraelit miratoi gjithashtu rifillimin e regjistrimit të tokave në Zonën C të Bregut Perëndimor, e cila mbetet nën kontroll të plotë izraelit dhe përbën rreth 61% të territorit.

Më 19 korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli të paligjshëm praninë e vazhdueshme izraelite në territoret palestineze të pushtuara dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve të ngritura mbi këto toka.

Që nga 7 tetori 2023, kur nisi ofensiva izraelite në Gaza, të paktën 970 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7,000 janë plagosur në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë Palestinaze të Shëndetësisë. /mesazhi