Izraeli ndalon anëtarin e Parlamentit Evropian të vizitojë Palestinën

Manuel Pineda

Izraeli nuk e ka lejuar të hyjë në vend Manuel Pineda-n, politikani komunist spanjoll nga koalicioni e Majta e Bashkuar, i cili është anëtar i Parlamentit Evropian (PE) dhe gjithashtu kreu i delegacionit për marrëdhëniet BE-Palestinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pineda në një postim në Twitter njoftoi se kishte anuluar misionin që ishte planifikuar të drejtonte të hënën për të vlerësuar situatën aktuale të palestinezëve.

Ai ndau gjithashtu deklaratën e refuzimit të lëshuar nga Ministria e Jashtme izraelite.

Sipas “informacioneve të marra nga autoritetet kompetente në Izrael”, ministria ka vendosur “të mos miratojë ardhjen” e eurodeputetit Pineda në vend, thuhet në deklaratë, pa dhënë arsye.

Pineda akuzoi Izraelin për “bllokim të punës së Parlamentit Evropian”.

“Gjatë misionit ishin planifikuar takime me autoritetet palestineze dhe shoqërinë civile, për të parë pasojat e pushtimit në jetën e përditshme të popullsisë palestineze në territor, si dhe për të parë efektet e politikave të bashkëpunimit të BE-së”, tha Pineda.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, shprehu gjithashtu keqardhje për vendimin e refuzimit të hyrjes së Pineda-s në Izrael.

“Unë do ta ngre këtë çështje menjëherë me autoritetet përkatëse. Respekti për eurodeputetët dhe Parlamentin Evropian është thelbësor për marrëdhënie të mira”, shkroi Metsola në Twitter. /aa