Izraeli përjashton të burgosurit palestinezë nga fushata e vaksinimit

Pavarësisht hapit të shpejtë për vaksinimin kundër COVID-19, vendimi i Izraelit për të mos vaksinuar të burgosurit palestinezë ose ata që banojnë në territoret e okupuara ka alarmuar familjet dhe grupet e të drejtave civile, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ministri i Sigurisë së Brendshme të vendit, Ameer Ohanna udhëzoi autoritetet që të mos vaksinojnë të burgosurit palestinezë që ndodhen në burgjet izraelite. Ai kërkoi nga zyrtarët shëndetësorë që të vaksinojnë vetëm personelin e burgut.

Grupet e të drejtave civile pretendojnë se këto masa janë “aparteid mjekësor” që bëhet nga autoritetet izraelite, të cilat ditë më parë detyruan të burgosurit në burgun Remo të përleshen me autoritetet e burgut për t’i detyruar ata të dërgonin Basel Ajaj, një i burgosur palestinez i infektuar me COVID-19, në spital për mjekim.

Ai tani po trajtohet në repartin e kujdesit intensiv në spitalin e përgjithshëm Beersheba, 108 kilometra në jug të Kudsit. Pavarësisht nga gjendja e tij e përkeqësuar, administrata e burgut nuk po e transferonte atë në spital.

I arrestuar në vitin 2002 dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, Ajaj u akuzua për pjesëmarrje në intifadën e dytë.

“Ai jetoi me familjen e tij për më pak se tre vjet. Ata nuk mund ta vizitojnë atë për shkak të kufizimeve të pandemisë. Për më tepër, djali dhe vajza e tij tashmë ishin të ndaluar të vizitonin babanë e tyre për shkak të kufizimeve të sigurisë”, tha vëllai i të burgosurit, Mohammad Ajaj për AA.

Sipas ligjit ndërkombëtar, palestinezët në tokat e okupuara bien nën përgjegjësinë e Izraelit për sa i përket çështjeve shëndetësore.

“Administrata e burgut përpiqet të vrasë të burgosurit, nuk ka trajtim të mjaftueshëm, por neglizhencë mjekësore. Kjo ka ndodhur për mbi 13 vjet. Unë e kam dëshmuar këtë brenda burgjeve dhe nuk është ndalur kurrë”, tha Mohammad.

Anëtarët e familjes pretendojnë se autoritetet izraelite nuk kanë lejuar Bazel as të telefononte avokatin.

“Si familje, ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, Autoritetit Palestinez dhe fraksioneve të tregojnë një përgjigje serioze për të shpëtuar të dashurit tanë në burg. Ne duhet të ndiejmë se ato nuk janë harruar”, shtoi ai.

– 227 të burgosur palestinezë të infektuar

Në një deklaratë, Shoqata Palestineze e të Burgosurve (PPS) tha se numri i të burgosurve të infektuar në burgun Remon ka shkuar në 31. Numri i përgjithshëm i të burgosurve të infektuar që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 227.

“Ky është një qëndrim racist nga Ameer Ohanna dhe kundër normave ndërkombëtare dhe vetë ligjit izraelit. Këshilltari gjyqësor i qeverisë izraelite tha se autoritetet izraelite duhet të vaksinojë të burgosurit”, tha për AA, Qadora Fares, kreu i PPS.

PPS u ka dërguar letra Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), OKB-së dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).

“OBSH ka thënë se të burgosurit kanë të drejtë të trajtohen dhe Izraeli duhet ta lejojë këtë të drejtë. Por, Izraelit nuk i intereson më”, shtoi Fares.

Yossef Jabreen, kreu i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Listës së Përbashkët, një aleancë politike e partive kryesore me shumicë arabe në Izrael – gjithashtu i ka dërguar një letër Emanoel Joffrey, raportuesit special të OKB-së duke kërkuar ndërhyrjen e tij për të detyruar Izraelin të përfshijë palestinezët në programin e vaksinimit kundër COVID-19.

Shoqata Palestineze e Ndihmës Mjekësore e ka përshkruar qëndrimin izraelit si “aparteidin mjekësor, një formë shumë më e keqe që madje nuk ekzistonte as në Afrikën e Jugut”.