Izraeli përshpejton aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve para largimit të Trump-it

Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, tha sot se Izraeli “po garon kundër kohës” për të ndërtuar vendbanime të reja para se presidenti amerikan Donald Trump të largohet nga Shtëpia e Bardhë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë një takimi javor të kabinetit, Shtayyeh paralajmëroi për “pasoja të rënda” nga aktiviteti izraelit i ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të okupuar.

Autoritetet izraelite njoftuan të dielën planet për të ndërtuar 1.257 njësi të reja vendbanimesh në Kudsin Lindor. Masa erdhi disa ditë pasi Izraeli miratoi ndërtimin e 108 njësive të banimit në vendbanimin Ramat Shlomo në qytetin e okupuar.

Shtayyeh përshkroi vizitën e planifikuar për javën e ardhshme të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si një “shkelje e të drejtave të popullit palestinez”.

“Kjo vizitë nuk do t’u japë asnjë legjitimitet kolonive sioniste dhe ne i bëjmë thirrje botës të qëndrojë kundër kësaj vizite dhe të ndërmarrë hapa shtesë për të ndaluar mallrat nga vendbanimet izraelite”, tha ai.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, qeveria izraelite ka në plan të miratojë mijëra njësi vendbanimesh në Kudsin Lindor si një hap paraprak para 20 janarit të vitit 2021, kur duhet të inaugurohet presidentit i zgjedhur në SHBA, Joe Biden.

Biden dhe zv/presidentja e zgjedhur Kamala Harris deklaruan në fushatën e tyre elektorale se ata do t’i përmbahen zgjidhjes me dy shtete për të zgjidhur konfliktin mes Palestinës dhe Izraelit, një zgjidhje që bie në kundërshtim me veprimtarinë izraelite të ndërtimit të vendbanimeve dhe planet izraelite për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, konsiderohet si një “territor i okupuar” sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë të gjitha vendbanimet izraelite të paligjshme.