Izraeli po përdorë armë të ndaluara ndërkombëtarisht për ti sulmuar protestuesit

Forcat izraelite kanë përdorur armë të ndaluara ndërkombëtarisht kundër demonstruesve të paarmatosur pranë kufirit midis Gazës dhe Izraelit, pohoi një grup i të drejtave të njeriut.

“Ne kemi marrë informacion që dëshmon përdorimin e armëve të ndaluara ndërkombëtarisht nga forcat okupuese, duke përfshirë plumbat shpërthyes, me qëllim që të shkaktojnë numër më të madh të lëndimeve”, tha Essam Younis, kreu i Komisionit të Pavarur për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Younis, ushtria izraelite ka vrarë qëllimisht civilët duke iu drejtuar atyre drejtpërdrejt, siç dëshmohet nga plagët e shumta në pjesën e sipërme të trupit, veçanërisht në kokë, qafë dhe gjoks.

Ai u bëri thirrje organizatat ndërkombëtare që të shfrytëzojnë të drejtat e tyre ligjore dhe humanitare drejt parandalimit të shkeljeve të vazhdueshme të Izraelit kundër civilëve palestinezë.

Gjithsej 20 protestues palestinezë janë vrarë që nga e premtja e kaluar, kur filluan tubime masive përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin.

Sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetit, më shumë se 1.500 demonstrues palestinezë janë lënduar gjatë së njëjtës periudhë.

Tubimet kufitare të premten e kaluar filluan si një demonstratë gjashtë-javore që do të kulmojë më 15 maj, e cila do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit – një ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.

Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet e drejta e kthimit në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u nxorrën në vitin 1948 .

Në prag të demonstratave masive javën e kaluar, Izraeli shpërndau mijëra trupa në kufi, duke kërcënuar përdorimin e municioneve të vërteta kundër atyre që kërcënonin “infrastrukturën e sigurisë” së Izraelit. /MESAZHI/