Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli pranon “në heshtje” se ka armatosur një grup milicësh “për të...

Izraeli pranon “në heshtje” se ka armatosur një grup milicësh “për të cilët pretendohet se është i lidhur me DEASH-in”

Zyra e kryeministrit izraelit ka pranuar “në heshtje, me nënkuptim” pretendimin e Avigdor Lieberman, kreut të partisë opozitare “Izraeli, Shtëpia Jonë”, se një grup milicësh në Gaza i lidhur me DEASH-in po armatoset nga qeveria e Tel Avivit, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për kanalin televiziv shtetëror izraelit KAN, ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Lieberman pretendon se Izraeli po armatos milicët që bashkëpunojnë me të në Rripin e Gazës dhe që veprojnë kundër Hamasit.

“Qeveria izraelite me urdhër të kryeministrit (Benjamin Netanyahu) po transferon armë te një grup kriminelësh të identifikuar me DEASH-in”, tha Lieberman duke shtuar se ky veprim është kryer pa vendim të kabinetit, me urdhër të Netanyahut dhe me dijeninë e drejtorit të agjencisë së inteligjencës vendase Shin-Bet (Shabak) dhe se ai nuk e di nëse shefi i shtabit është apo jo në dijeni të çështjes.

Teksa Shin-Bet nuk iu përgjigj akuzave, në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit, akuzat e Lieberman u pranuan “në heshtje, me nënkuptim”.

Në deklaratën e lëshuar me një fjali të vetme pas pretendimeve të Liebermanit thuhet “Izraeli me këshillën e të gjithë udhëheqësve të institucioneve të tij të sigurisë, punon për të mposhtur Hamasin përmes mjeteve dhe rrugëve të ndryshme”.

Më parë këtë javë, një grup i armatosur në Rripin e Gazës i udhëhequr nga një person me emrin Yasser Abu Shabab publikoi një video duke deklaruar se ata kishin nën kontroll një zonë në Rafah të cilën ushtria izraelite e ka pushtuar dhe e ka shpallur “zonë të sigurt”.

Shabab i ftoi palestinezët të vinin në zonën në një pikë afër kufirit me Egjiptin, duke thënë se do të kryhej shpërndarja e ndihmës humanitare. Sipas mediave palestineze, Abu Shabab dikur ka qenë udhëheqës i një grupi kriminal të organizuar dhe se ai po punon në bashkëpunim me ushtrinë izraelite.

Burimet e Hamasit akuzojnë njerëzit e armatosur të Abu Shabab-it, se nën mbikëqyrjen e ushtrisë izraelite po plaçkisin ndihmën humanitare që vjen në rajon. Plani i forcave izraelite të sigurisë për të armatosur fiset dhe grupet me qëllim për t’i dhënë fund administratës së Hamasit në Gaza u pasqyrua në media.