Izraeli rrënon 3 shtëpi palestineze në Bregun Perëndimor

12 palestinezë nga dy familje mbetën në mes të rrugës për shkak të shkatërrimit të shtëpive të tyre.

Forcat izraelite rrënuan 3 shtëpi që u përkisnin 2 familjeve palestineze në qytetin e El-Khalil në jug të Bregut Perëndimor të okupuar me arsyetimin se ato janë “ndërtuar pa leje”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Burimet lokale njoftuan se forcat izraelite shkatërruan 3 shtëpi palestineze në zonën Mesafer Yatta pranë qytetit El-Khalil.

Si arsye për rrënimin, thuhet se zona ku u ndërtuan shtëpitë në fjalë u vlerësua si “Zona C” dhe shtëpitë u shembën me pretendimin se ato ishin “pa leje”.

Më tej thuhet se 12 palestinezë nga dy familje mbetën në mes të rrugës për shkak të shkatërrimit të shtëpive të tyre.

Sipas burimeve palestineze, autoritetet izraelite vetëm vitin e kaluar shkatërruan më shumë se 500 shtëpi dhe biznese palestineze në Kudsin Lindor të okupuar dhe në Bregun Perëndimor.

Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.

“Zona A”, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, “Zona B”, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit ndërsa “Zona C”, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë.

Qeveria izraelite nuk lejon palestinezët të ndërtojnë ndërtesa ose zgjerime të reja, kryesisht në “Zonën C” me arsyetimin se është nën kontrollin e saj.