Izraeli shënjestroi infrastrukturën e Iranit në sulme ajrore të koordinuara në të gjithë kryeqytetin Teheran si dhe në qytetet Shiraz dhe Ahvaz gjatë 24 orëve të fundit, tha sot ushtria izraelite në platformën amerikane të mediave sociale X, transmeton Anadolu.
Forcat Ajrore Izraelite kryen disa valë sulmesh njëkohësisht në të tre qytetet nën drejtimin e inteligjencës ushtarake, duke synuar atë që ushtria e përshkroi si infrastrukturë që i përkiste “regjimit terrorist iranian”, tha ushtria.
Në Shiraz në Iranin jug-qendror, ushtria izraelite pretendon se një avion shënjestroi një strukturë nëntokësore të përdorur për të prodhuar dhe ruajtur raketa balistike të destinuara për t’u lëshuar drejt Izraelit.
Në Teheran, forcat izraelite shënjestruan lokacione dhe një bazë qendrore të sistemit të mbrojtjes ajrore të Iranit. Vende të tjera të përfshira në prodhimin e armëve të ndryshme, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe komponentëve për raketa balistike u shënjestruan gjithashtu, shtoi ushtria.
Në të njëjtën kohë në Ahvaz në Iranin jugperëndimor, Izraeli pretendon se sulmet e tyre shënjestruan selinë e disa organeve qeveritare iraniane, përfshirë qendrat e komandës së forcave tokësore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe një komandë qendrore të forcave të sigurisë së brendshme përgjegjëse për koordinimin me Gardën Revolucionare.
Ushtria izraelite tha se aktiviteti i personelit iranian u zbulua në selinë e synuar, duke shtuar se dhjetëra anëtarë po vepronin nga ato vende për të avancuar dhe koordinuar atë që e përshkroi si “operacione terroriste” kundër Izraelit dhe vendeve të tjera në rajon.
Sulmet e përfunduara janë pjesë e asaj që ushtria izraelite e përshkroi si një fazë që synon thellimin e dëmtimit të sistemeve thelbësore dhe themeleve të qeverisë së Iranit, tha ushtria izraelite.




