Izraeli shqyrton mundësinë për “sulm të gjerë” në Rripin e Gazës

Ministri izraelit i Sigurimit të Brendshëm, Gilad Erdan, tha se Izraeli mund të nisë një operacion tjetër ushtarak në shkallë të gjerë kundër Rripit të Gazës së drejtuar nga Hamasi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për kanalin e radios Kan, Erdan tha se Izraeli ishte “zvarritur në një fushatë më të gjerë” kundër Hamasit, e cila ka qeverisur Rripin e Gazës që nga viti 2007.

“Kolonët izraelitë që jetojnë pranë Rripit të Gazës tani e shohin veten në një situatë të padurueshme, të ngjashme me atë që u përballën katër vjet më parë (para goditjes shkatërruese të Izraelit në Gazë në vitin 2014)”, tha Erdan.

“Nëse Hamasi nuk e kupton këtë, ne do të duhet të angazhohemi në një operacion të gjerë ushtarak që do të kërkonte një çmim të lartë, të paktën po aq të lartë sa sulmi i vitit 2014, nëse jo më i lartë”, shtoi Erdan.

Në dritën e këtyre kërcënimeve, Brigada Ezzedine al-Qassam, krahu i armatosur të Hamasit, sot në mëngjes njoftoi se luftëtarët e saj ishin vendosur në një gjendje “alarmi të lartë”.

Tensionet janë ngritur vazhdimisht përgjatë zonës tampon Gaza-Izrael në ditët e fundit.

Mbrëmë, ushtria izraelite bombardoi pozicionet e Hamasit në Rripin e Gazës, duke vrarë tre anëtarë të grupit.

Më herët në të njëjtën ditë, një ushtar izraelit pranë zonës tampon u plagos nga zjarri i snajperistëve që dilnin nga brenda Rripit të Gazës.

Disa ditë më herët, një ushtar izraelit u vra në një sulm të ngjashëm me snajper.

As Hamasi, por as ndonjë fraksion tjetër palestinez nuk e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin.