Objektiva të ndryshme në lagjet veriore dhe veriperëndimore të Gazës forcat izraelite i kanë bombarduar intensivisht dhe njëkohësisht nga toka (me artileri), ajri dhe deti.
Pjesa veriore e qytetit ka mbetur në errësirë për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike si pasojë e bombardimeve izraelite. Në zonë janë parë flakë të mëdha.
Në zonë u dërguan ambulanca dhe ekipe të mbrojtjes civile. Nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë nuk është bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me sulmin.
Pasi bombarduan intensivisht pjesën veriore të Rripit të Gazës, pas një qetësie 2-orëshe avionët izraelitë kanë vazhduar të bombardojnë sërish lagje të ndryshme të Gazës.
Ndërkaq zyra e zëdhënësit të ushtrisë izraelite i është shmangur rikonfirmimit të deklaratës së parë “Ushtarët izraelitë hynë në Gazë” dhe ka përdorur shprehjen: “Nuk mund ta konfirmojmë se kanë hyrë apo jo ushtarët”.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Jonathan Conricust në deklaratën e tij të parë për agjencinë turke të lajmeve “AA” kishte thënë se ushtria izraelite kishte filluar “operacionin tokësor” në Rripin e Gazës.
Kurse në deklaratën e dytë të bërë nga zyra e zëdhënësit u bë ky sqarim: “Bëhet fjalë për një keqkuptim që ka ndodhur për shkak të gabimit në përkthim, operacioni tokësor nuk ka filluar ende”.
Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 10 maji e deri më tani në Rripin e Gazës janë martirizuar 119 persona, përfshirë 28 fëmijë dhe 15 gra, ndërsa janë plagosur 621 të tjerë.
Kurse 139 persona të tjerë janë plagosur nga ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë me plumba të vërtetë dhe plastikë ndaj protestave që janë mbajtur në Jerusalem dhe në Bregun Perëndimor të okupuar me qëllim për të mbështetur Rripin e Gazës. /trt