Izraeli vendos ta lirojë të burgosurin palestinez në grevë urie prej 141 ditësh

Një i burgosur palestinez, i cili ishte në grevë urie për 141 ditë duke protestuar kështu ndaj burgosjes pa akuza, ka pranuar të përfundojë këtë grevë urie pas arritjes së një marrëveshjeje me Izraelin për t’u liruar në shkurt të këtij viti.

Hisham Abu Hawwash, një 40-vjeçar, është njëri nga disa palestinezë që hynë në grevë urie për të protestuar kundër mbajtjes nën arrest administrativ, masë kjo ku një i burgosur mbahet për një kohë të pacaktuar pa akuza ose gjyq.

Të arrestuarit administrativë arrestohen me “prova sekrete”, pa dijeni për akuzat ndaj tyre dhe nuk lejohen të mbrohen në gjykatë.

Avokati i Abu Hawwash, Jawad Boulos, tha të martën se ai pranoi t’i jepte fund grevës së urisë pasi Izraeli u zotua ta lironte atë më 26 shkurt, raporton Al Jazeera.

Palestinezët janë mbledhur në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës në mbështetje të Abu Hawwash. Xhihadi Islamik Palestinez kishte kërcënuar me veprime ushtarake kundër Izraelit nëse ai vdiste në paraburgim.

Abu Hawwash është i fundit nga disa të burgosur që javët e fundit kanë refuzuar ushqimin dhe ujin për të protestuar ndaj ndalimit të tyre. Grevistët e urisë zakonisht shtrohen në spital për periudha të gjata derisa autoritetet izraelite të bien dakord për lirimin e tyre. /koha