Izraeli zbut bllokadën ndaj Gazës, lejon të hyjnë më shumë mallra dhe pajisje

Izraeli do të lejojë që më shumë mallra dhe pajisje të hyjnë në Gaza që nga e enjtja për projekte civile dhe ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se pas vlerësimit të situatës së sigurisë, Izraeli mori masa ekonomike në brezin e Gazës për të përmirësuar kushtet humanitare.

Njoftimi erdhi pasi qindra palestinezë u mblodhën pranë kufirit izraelit të mërkurën, duke kërkuar që Izraeli të heqë bllokadën e tij dërrmuese.

Në deklaratë theksohet se lehtësimi i kufizimeve përfshin importimin e mallrave dhe materialeve për projektet e organizatave ndërkombëtare në Gaza, lejimin e hyrjes së automjeteve të reja në Gaza dhe lejimin e tregtisë së arit midis Gazës dhe Bregut Perëndimor. Biznesmenët nga Gaza do të marrin gjithashtu 1.000 leje daljeje shtesë.

Ushtria izraelite tha se lehtësimi i kufizimeve është i kushtëzuar me sigurinë dhe stabilitetin.

Gjatë ofensivës izraelite në Gaza në maj, Izraeli vendosi kufizime të rënda për importimin e mallrave në Gaza, veçanërisht materialet e ndërtimit, duke shkaktuar një krizë shtesë ekonomike në Gazën e bllokuar.

Derisa Izraeli këmbëngul në lirimin e ushtarëve të tij të zhdukur në këmbim të rindërtimit të Gazës, grupi Hamas, i cili qeveris në Gaza që nga viti 2007, thotë se çështja e ushtarëve është e lidhur me shkëmbimin e të burgosurve. /aa