Jasharaj: Irritimi i arsimtarëve, si pasojë e lëvizjes së fshehtë të koeficientëve te sektorët tjerë

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës e Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se pjesëmarrja në grevë e gati të gjitha shkollave në Kosovë, është treguesi më i mirë i suksesit të grevës së mësimdhënësve. Jasharaj, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se SBASHK-u po kërkon trajtim më të dinjitetshëm në Ligjin e Pagave për punëtorët e arsimit. “Te sektorët e tjerë ka rritje të dukshme të pagave… Ne nuk kemi kërkuar ngritje të pagave me shifra. Kemi kërkuar që ligji të na sheh të barabartë me sektorët e tjerë. Irritimi më i madh të arsimtarëve ka ardhur si pasojë e lëvizjes së fshehtë të koeficientit te sektorët tjerë”. Kryetari i SBASHK-ut deklaroi se me tre shtator arsimtarëve iu bë një goditje kur u përpilua Ligji i Pagave. “Kemi pritur prindërit madje edhe OJQ-të që të na japin përkrahje, por kjo përkrahje nuk na u dha”, tha kryesindikalisti i arsimit Jasharaj ka thënë se në marrëveshjen e nënshkruar para zgjedhjeve me koalicionin e tanishëm qeveritar nuk është përmendur ngritja e pagave. “Ramush Haradinaj është gjallë. Nuk është e vërtetë që greva e jonë ka lidhje me marrëveshjen që kemi bërë me PAN-in”, tha ai.