‘Jemi gati për luftë’, Rusia dhe Bjellorusia i përgjigjen Perëndimit me stërvitje ushtarake

Trupat ushtarake ruse dhe bjelloruse i dhanë jetë të premten një stërvitjeje të përbashkët në afërsi të kufirit me Poloninë dhe atij me Lituaninë, në një kohë kur marrëdhëniet mes Evropës dhe Minskut janë më të tensionuara se kurrë për shkak të krizës migratore.

Ministri bjellorus i Mbrojtjes, Victor Khrenin deklaroi se aktivitetet e njësive ushtarake polake në afërsi të kufirit shtetëror bjellorus nuk lidhet me krizën e emigrantëve dhe paralajmëroi Varshavën zyrtare që të mos mbivlerësojë kapacitetet e saj.

“Me sa duket fqinjët tanë perëndimorë, sidomos Polonia, janë gati të nisin një konflikt për shkak të problemeve të brendshme politike. Unë i paralajmëroj, mos mbivlerësoni kapacitetet tuaja. Gjuha e urrejtjes, e kërcënimeve dhe shantazheve është e papranueshme. Forcat e armatosura bjelloruse janë gati të kundërpërgjigjen”, tha Victor Khrenin, ministër i Mbrojtjes i Bjellorusisë.
Në stërvitje u përfshinë edhe njësitë ajrore, të cilat zbarkuan në tokë me parashutë, të armatosura me pajisje luftarake dhe simuluan marrjen nën kontroll të një ure dhe shkatërrimin e objektivave armike.

Bashkimi Evropian e akuzon Bjellorusinë se ka organizuar një “sulm hibrid” ndaj bllokut duke nxitur mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika që të hyjnë në territorin e Unionit, duke kaluar kufirin e Polonisë.

Ndërsa Brukseli po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Minskut, fqinjët e ish-republikës sovjetike druhen se kriza mund të degradojë në një konflikt ushtarak. /euronews