Jep dorëheqje shefi i inteligjencës ushtarake të Izraelit

Aharon Haliva

Shefi i inteligjencës së ushtrisë izraelite ka dhënë dorëheqje, duke thënë se merr përgjegjësinë për dështimet para sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se gjeneralmajor Aharon Haliva, do të tërhiqej pasi të zgjidhet pasardhësi i tij.

Ai në një letër ka pranuar se “nuk e ka përmbushur detyrën që i ishte besuar”.
Haliva është figura e parë e lartë që jep dorëheqjen për sulmin, me më së shumti numër të të vdekurve në historinë e Izraelit, raporton BBC.

Ushtria izraelite dhe zyrtarët e inteligjencës humbën ose injoruan paralajmërimet e shumta përpara se qindra pjesëtarë të armatosur të Hamasit të kryenin sulmin e armatosur më 7 tetor.

Rreth 1 mijë e 200 izraelitë dhe të huaj – kryesisht civilë – u vranë dhe 253 të tjerë u morën në Gaza si pengje, sipas të dhënave izraelite.

Izraeli u përgjigj duke nisur luftën e tij më intensive ndonjëherë në Gaza me qëllim të shkatërrimit të Hamasit dhe lirimit të pengjeve.

Më shumë se 34 mijë palestinezë në Gaza – shumica prej tyre fëmijë dhe gra – janë vrarë në konflikt, thotë ministria e shëndetësisë e në Gaza.

Sipas një deklarate të lëshuar të hënën nga IDF-ja, gjeneralmajor Haliva kishte kërkuar të dorëhiqej pasi kishte vlerësuar se më 7 tetor nuk e kishte kryer detyrën si duhet.

“Atë ditë të zezë e kujtoj që atëherë, ditë pas dite, natë pas nate. Do të mbaj me vete dhimbjen e tmerrshme të luftës përgjithmonë”, thuhet në letrën e tij.

Haliva ka bërë thirrje gjithashtu për ngritjen e një komisioni shtetëror hetimor “që mund të hetojë dhe zbulojë në mënyrë të plotë, të thellë, gjithëpërfshirëse dhe të saktë të gjithë faktorët dhe rrethanat e ngjarjes”.

“Gjithçka që bëra gjatë shërbimit tim në ushtri ishte për hir të popullit të Izraelit dhe shtetit të Izraelit”, ka shkruar ai.

Dorëheqja e gjeneralmajor Halivas ishte parashikuar, duke qenë se ai kishte deklaruar 10 ditë pas sulmit se mbante përgjegjësinë e plotë për dështimet e inteligjencës izraelite.