Jep dorëheqjen: Unë isha një muslimane në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit

Rumana Ahmed, pjesë e personelit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, është një muslimane e mbuluar që ka provuar të punojë në të dyja administratat amerikane, në atë të Barack Obama-s dhe në këtë të Donald Trump-it.

Pasi ka dhënë dorëheqjen nga detyra, ajo ka shkruar një artikull për revistën Atlantic, të titulluar, “Unë isha një muslimane në Shtëpinë e Bardhë të Trump-it”.

E ndjerë e mirëpritur dhe e përfshirë nga administrata e shkuar, ajo ka qëndruar në detyrë në administratën e re për t’i dhënë presidentit të ri dhe ndihmësve të tij një panoramë më me nuanca mbi Islamin.

“Unë jam një muslimane me hixhab – isha e vetmja e tillë në Krahun Perëndimor – dhe administrata e Obama-s më bëri të ndihem gjithmonë e përfshirë dhe e mirëpritur…. Unë mendoja se duhej të përpiqesha të qëndroja në personelin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së Trump-it për t’i dhënë presidentit të ri dhe ndihmësve të tij një panoramë më me nuanca mbi Islamin dhe mbi qytetarët muslimanë të Amerikës,” shkruan ajo.

Ajo e ka marrë vendimin për largimin për shkak të urdhrit ekzekutiv të Trump-it që u mbyllte dyert refugjatëve dhe qytetarëve nga një sërë vendesh muslimane.

“Qëndrova tetë ditë. Kur Trump-i nxori një ndalim të udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë muslimane dhe të të gjithë refugjatëve sirianë, unë mësova se nuk mund të qëndroja më dhe të punoja për një administratë që më pa mua dhe njerëzit si unë jo si bashkëqytetarë, por si kërcënim.”

Me prindërit nga Bangladeshi, e me hixhabin të vënë në moshën 12-vjeçare, ajo tregon në artikull se edhe pse e inkurajuar nga familja, mbulimi kishte qenë zgjedhje e saj. “Ishte çështje besimi, identiteti,” ka rrëfyer Rumana Ahmed.

Mes të tjerash, ajo shkruan në fund të artikullit, “Ta vendosësh sigurinë kombëtare të SHBA-së në duart e njerëzve që mendojnë se diversiteti i Amerikës qenka ‘dobësi’ është e rrezikshme!”