Jordania kërkon nga OKB mbrojtjen e rajonit nga Izraeli

Ayman Safadi

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të veprojë “menjëherë dhe në mënyrë efektive për të frenuar arrogancën e Izraelit dhe për të mbrojtur rajonin nga veprimet e tij shkatërruese”.

Safadi tha se Izraeli “nuk respekton të drejtën ndërkombëtare dhe nuk ndalet nga vlerat njerëzore”, duke shtuar se ai e konsideron veten mbi ligjin dhe përdor brutalitetin për të imponuar një ideologji raciste.

Ai paralajmëroi se synimet ekspansioniste të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze, si dhe në Liban e Siri, përbëjnë kërcënim për rajonin dhe duhet të ndalohen.

Duke komentuar sulmin izraelit në kryeqytetin e Katarit, Doha, Safadi tha se Izraeli “tradhtoi hapur një shtet që ka bashkëpunuar me SHBA për të arritur një marrëveshje shkëmbimi dhe një armëpushim të qëndrueshëm”.

“Ne e dënojmë këtë sulm brutal dhe tradhtar kundër Katarit,” përfundoi Safadi. /mesazhi