Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Jordania: Mbyllja e Al-Aksës dhe Varrit të Shenjtë në Kuds nga Izraeli,...

Jordania: Mbyllja e Al-Aksës dhe Varrit të Shenjtë në Kuds nga Izraeli, shkelje e lirisë fetare

Qeveria e Jordanisë tha se mbyllja e xhamisë Al-Aksa dhe Kishës së Varrit të Shenjtë në Kudsin Lindor të pushtuar nga Izraeli përbën “krim kundër lirisë fetare”, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i qeverisë Mohammad al-Momani tha për Anadolu se pengimi i besimtarëve për të hyrë në këto vende është “shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe ‘status quo’-s historike dhe ligjore në Kuds”.

“Ndalimi i hyrjes në dy vendet e shenjta përbën shënjestër sistematike të identitetit fetar të Kudsit”, tha ai duke paralajmëruar se masat e vazhdueshme mund ta shtyjnë rajonin drejt përshkallëzimit të mëtejshëm dhe të nxisin gjuhën e urrejtjes.

Al-Momani shtoi se Izraeli si një fuqi pushtuese “nuk ka sovranitet ligjor mbi Kudsin ose vendet e tij të shenjta”, duke theksuar se Vakëfi Islamik i Kudsit nën autoritetin e Jordanisë është i vetmi organ ligjërisht përgjegjës për administrimin e Al-Aksës, e cila shtrihet në rreth 144 dynymë.

“Izraeli duhet të kuptojë se përpjekjet e tij për të politizuar vendet e shenjta të qytetit ose për të kufizuar lirinë e adhurimit do të përballen me kundërshtimin e fortë jordanez të rrënjosur në kujdestarinë dhe rolin historik të mbretërisë”, tha ai.

“Përpjekjet për të minuar lirinë e adhurimit dhe për të mbytur zërat e minareve dhe kambanave do të përballen me vendosmërinë e qëndrimit politik jordanez, i cili bazohet në legjitimitetin e kujdestarisë hashemite dhe të drejtën historike të vendosur të banorëve të Kudsit”, shtoi Al-Momani.

Departamenti i Vakëfeve të Kudsit, i lidhur me Ministrinë jordaneze të Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta, është kujdestari zyrtar i xhamisë Al-Aksa dhe pronave të Vakëfeve në Kudsin Lindor, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, i cili e njeh Jordaninë si autoritetin e fundit lokal përgjegjës për këto vende të shenjta para pushtimit të tyre nga Izraeli.

Jordania ruajti të drejtën e saj për të mbikëqyrur çështjet fetare në Kuds sipas Traktatit të Paqes Wadi Araba, të cilin e nënshkroi me Izraelin në vitin 1994. Një marrëveshje e vitit 2013 midis mbretit jordanez Abdullah II dhe presidentit palestinez Mahmoud Abbas riafirmoi kujdestarinë e Jordanisë mbi vendet e shenjta të Kuds.

Sot policia izraelite tha se do të lejonte “lutje të kufizuara” në Kishën e Varrit të Shenjtë ndërsa do ta mbante Al-Aksën të mbyllur, pa specifikuar numrin e besimtarëve të lejuar. Masat tërhoqën kritika ndërkombëtare, përfshirë Italinë, Francën, Spanjën dhe Bashkimin Evropian, pasi autoritetet izraelite ndaluan klerin e lartë të krishterë të hynte në kishë për të shënuar të Dielën e Palmave.

Konfeksionet e krishtera po përgatiten të festojnë Pashkët më 5 prill në kalendarin perëndimor dhe më 12 prill në kalendarin lindor. Izraeli i ka mbajtur të dy vendet të mbyllura që nga 28 shkurti, duke përmendur shqetësime sigurie për shkak të tensioneve rajonale të lidhura me luftën e vazhdueshme të Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit dhe përgjigjen e Teheranit.

Komanda e Brendshme e Izraelit tha sot se do të zgjasë kufizimet për tubimet deri më 4 prill. Vendet arabe dhe muslimane kanë dënuar mbylljet dhe i kanë bërë thirrje Izraelit të rihapë Al-Aksën për besimtarët.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.