Kafenetë që pranojnë mbetje plastike në vend të parave po përhapen në disa qytete të Indisë, me synimin për të luftuar njëkohësisht urinë dhe ndotjen nga plastika. Një nga shembujt më të njohur është “Kafeneja e Mbeturinave” në qytetin Ambikapur, ku njerëzit mund të marrin vakte të ngrohta në këmbim të plastikës që mbledhin, si qese, ambalazhe apo shishe.
BBC raporton se për një kilogram plastikë ofrohet një vakt i plotë me oriz, gjellë, supë me thjerrëza, bukë, sallatë dhe turshi, ndërsa për gjysmë kilogrami mund të merret mëngjesi.
Brenda, njerëzit janë ulur në stola prej druri dhe po hanë ushqim të nxehtë në pjata çeliku, disa bisedojnë, të tjerët hanë në heshtje.
Çdo ditë, njerëz të uritur vijnë në këtë kafene në Ambikapur, një qytet në shtetin Chhattisgarh të Indisë, me shpresën për të marrë një vakt të ngrohtë.

Vinod Kumar Patel, që drejton kafenë në emër të Bashkisë së Ambikapurit thotë se ata për një kilogram plastikë, marrin një vakt të plotë me oriz, dy gjellë me perime, supë me thjerrëza, bukë, sallatë dhe turshi.
“Mund të siguroj ushqim për familjen time në këmbim të plastikës që mbledh. Kjo ka ndryshuar jetën tonë.”– thotë Rashmi Mondal.
Kjo nismë, e nisur në vitin 2019 nga Bashkia e Ambikapurit, synon të ndihmojë njerëzit me të ardhura të ulëta, si mbledhësit e mbeturinave apo të pastrehët, duke u ofruar ushqim në këmbim të plastikës së mbledhur. Kafeneja i shërben mesatarisht mbi 20 personave çdo ditë, ndërsa qyteti ka arritur të mbledhë rreth 23 tonë plastikë që nga fillimi i projektit, duke ulur ndjeshëm sasinë që përfundon në vendgrumbullime.
Ambikapur njihet si një nga qytetet më të pastra të Indisë falë sistemit të tij “zero mbetje”. Qyteti ka ngritur 20 qendra të ndara mbetjesh (SLRM), ku mbetjet ndahen në mbi 60 kategori për riciklim maksimal. Këto qendra punësojnë rreth 480 gra, të quajtura “motrat e pastërtisë”, që ndihmojnë në grumbullimin dhe përpunimin e mbeturinave, duke fituar një të ardhur mujore të qëndrueshme.
Rashmi Mondal është një grua vendase që sjell plastikë në kafene. Çdo mëngjes ajo del nëpër rrugët e Ambikapurit për të kërkuar plastikë të hedhur – gjithçka nga ambalazhet deri te shishet. Për të, kjo është mënyra e vetme për të mbijetuar.
“E bëj këtë punë prej vitesh,” thotë ajo, duke treguar grumbullin e vogël të plastikës. Më parë ajo e shiste plastikën për vetëm 10 rupi për kilogram – shumë pak për të jetuar. “Por tani, marr ushqim për familjen time në këmbim të saj. Kjo ka bërë ndryshim të madh për ne.”
Punonjësit në qendrat e mbetjeve pajisen me doreza, maska dhe mjete të tjera higjienike për të shmangur rreziqet shëndetësore. Por ata që e mbledhin plastikën në rrugë nuk marrin këto mjete.

Plastika e mbledhur riciklohet për ndërtimin e rrugëve ose shitet për të ardhura, ndërsa pjesa tjetër përdoret si lëndë djegëse. Ky model është përhapur edhe në qytete të tjera të Indisë, si Siliguri, Mulugu, Mysuru dhe Uttar Pradesh, ku njerëzit mund të marrin ushqim ose produkte higjienike në këmbim të mbetjeve plastike.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto nisma janë një hap i mirë fillestar, por nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemet më të mëdha si mbiprodhimi i plastikës apo mungesa e ndarjes së mbeturinave në shumicën e shtëpive. Sipas tyre, nevojiten ndryshime më të mëdha dhe politika më të forta për të adresuar problemin në rrënjë.








