Presidenti tunizian apelon për kthimin e pasurisë së grabitur të vendeve afrikane

Presidenti i Tunizisë Kais Said

Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, ka bërë thirrje për kthimin e pasurisë së grabitur të vendeve afrikane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas videos së publikuar në llogarinë e medias sociale të presidencës tuniziane, presidenti Saied, i cili ka marrë pjesë në Samitin midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Unionit Afrikan (AU) që zhvillohet në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, ka folur për gazetarët.

“Riktheni pasurinë e grabitur të vendeve të Afrikës. Pasuria dhe paratë e marra nga populli i Afrikës duhet ti rikthehen vendeve të Afrikës në këtë periudhë ku po përjetohen kushte të këqija”, tha Saied, duke mos përmendur emra.

Duke theksuar se arsyet e vërteta të përkeqësimit të kushteve sociale, ekonomike dhe politike në kontinentin afrikan duhet të diskutohen, Saied shtoi se, “Qasja jonë është që të formohen marrëdhënie të reja mes BE-së dhe vendeve të AU-së mbi bazën e barazisë dhe drejtësisë. Nuk është e logjikshme që të vazhdohet i njëjti trajtim me vendet e Afrikës”.

Samiti BE-AU, ku ka marrë pjesë presidenti tunizian, zhvillohet një herë në tre vjet me rotacion mes dy kontinenteve.

Samiti i mëparshëm u mbajt në Bregun e Fildishtë më 29-30 nëntor të vitit 2017, ndërsa samiti që ishte planifikuar për në vitin 2020 u shty për shkak të pandemisë COVID-19. /aa