Kalın: Turqia do të luajë një rol kyç në zgjidhjen e krizës ushqimore në botë në javët e ardhshme

Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalın, tha se Turqia në javët e ardhshme do të luajë një rol kyç në zgjidhjen e krizës së ushqimit në botë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kalın u tha gazetarëve se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan foli me homologët e tij rus dhe ukrainas në telefon për eksportimin e produkteve bujqësore ukrainase nga deti.

“Ne kemi zhvilluar bisedime nga ana e ministrisë sonë të Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera për një kohë të gjatë, me palën ukrainase, me palën ruse dhe me Kombet e Bashkuara për këtë çështje”, tha Kalın.

Ai tha se transporti i grurit, vajit të lulediellit dhe fekonduesve nga Ukraina dhe Rusia në tregjet ndërkombëtare është i një rëndësie të madhe, përndryshe siç u shpreh ai, e gjithë bota do të përballet me një krizë të madhe ushqimore.

Sipas zëdhënësit Kalın, Erdoğan u tha të dy liderëve se Turqia është e gatshme të luajë një rol lehtësues, ndërsa Ukraina dhe Rusia dhanë një përgjigje pozitive dhe deklaruan se donin ta kryenin procesin përmes Turqisë.

“Z. Putin deklaroi se do t’i japë udhëzimet e nevojshme ministrit të Jashtëm rus z. Lavrov, i cili do të vizitojë vendin tonë më 8 qershor dhe se në delegacionin e tij do të ketë njerëz për këtë çështje”, tha Kalın, duke shtuar: “Ne deklaruam se negociatat do të zhvillohen këtu, të organizuara nga ministri ynë i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu. Prandaj, detajet e kësaj çështjeje do të bëhen më të qarta gjatë kësaj vizite javën e ardhshme. Si Turqi, ne jemi të gatshëm ta fillojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Duke thënë se ka çështje që duhet të negociohen dhe zgjidhen teknikisht, Kalın tha se “të gjitha këto çështje do të vendosen në takimet që do të mbahen në Turqi në një deri në dy javët e ardhshme dhe pas kësaj Turqia do të ndërmarrë një detyrë shumë të rëndësishme në parandalimin e krizës botërore të ushqimit”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse do të ketë një vizitë nga Ukraina, Kalın tha: “Nuk ka asnjë vizitë të planifikuar për momentin, por dyert tona janë gjithmonë të hapura për miqtë tanë ukrainas”. /aa