Kamberi: S’presim marrëveshje kuptimplotë nga dialogu nëse s’trajtohet Lugina

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, që ‘dridhi’ Kuvendin e Serbisë duke e vendosur flamurin kuqezi e me fjalimin e parë shqip në këtë institucion thotë se qeveria serbe e drejtuar nga Ana Bërnabiq injoron kërkesat politike të Luginës së Preshevës.

Ai, në një intervistë për Klan Kosovën, është shprehur se e mirëpret rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se në agjendën e këtij procesi duhet të jetë edhe Lugina Preshevës.

“Nuk besojmë në marrëveshje kuptimplotë nëse Lugina e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve do të mbeten tema të patrajtuara. Presim që qeveria në Prishtinë të insistojë në respektimin e parimit të reciprocitetit për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Kamberi ka deklaruar se akoma nuk mund të thuhet se shqiptarët e kësaj zone kanë një trajtim adekuat nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

“Jemi në fazën e ekzistimit të vendimeve politike për hapjen e zyrës për Luginën e Preshevës nga qeveria paraprake në Prishtinë, por ajo zyrë akoma nuk është funksionalizuar. Qëndrimi i qeverisë së re nuk është i qartë rreth të ardhmes së kësaj zyre. Do të ketë ajo një program konkret? Do të përcillet edhe me buxhet adekuat për t’u përkrahur ai program?”.