Kamioni Tesla Semi përfundon një udhëtim testues prej 800 kilometra – ishte me ngarkesë të plotë

Kamioni Tesla Semi ka arritur të përfundojë udhëtimin e parë prej 800 kilometrash (500 miljesh) me një rimorkio plotësisht të ngarkuar, dy ditë përpara fillimit të dërgesave zyrtare.

Tesla Semi u prezantua në vitin 2017 dhe synonte të hynte në prodhim në vitin 2019 me klientët e parë që shpresonin të transportonin ngarkesat e tyre pa emetime në kohë për Krishtlindjet e atij viti.

Por na u desh të prisnim edhe 3 vjet të tjera.

Kamionët e parë do t’i dorëzohen Pepsi-t këtë të enjte në një ngjarje speciale në fabrikën Giga Nevada.

Kur Semi u prezantua, ishte një revolucion i vërtetë, një kamion i klasës 8 me emetim zero, i aftë për të udhëtuar 800 kilometra (500 milje) përderisa ishte plotësisht i ngarkuar.

Për fat të keq konkurrenca “nuk ishte në gjumë” për 5 vitet e fundit dhe Volvo së bashku me Mercedes dhe Freightliner dhe madje edhe Nikola, arritën të sjellin automjetet e tyre në treg, shkruan Arena EV.

Me një postim në Twitter, Elon Musk konfirmoi se pritja 5 vjeçare ia ka vlejtur.

Pse është kaq e rëndësishme distanca prej 800 kilometrash (500 miljesh)?

Në SHBA, një shofer kamioni mund të ngasë 8 orë përpara se të ketë nevojë të pushojë.

Në atë kohë ata përfundojnë mesatarisht pak më pak se 800 kilometra (500 milje) të ngasjes dhe kjo është ajo që i duhej industrisë së transportit – duke mos pasur nevojë për të ndryshuar logjistikën, por thjesht duke qenë në gjendje të ndërrojnë kamionët me benzinë me ato elektrike.