Kancelari austriak e siguron Kurtin: Do bëjmë çmos të mbrohet projekti i pavarësisë së Kosovës

Kancelari austriak, Karl Nehammer, deklaroi se Austria, bashkë me shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, do bëjnë çmos që të ruajnë projektin e lirisë dhe pavarësisë të Kosovës, si dhe anëtarësimin e saj në unionin europian.

Nehammer u deklarua kështu përgjatë një konference të përbashkët të premten që pati me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, përgjatë qëndrimit të këtij të parit në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Dezinformatat, lufta hibride që u përmend nga kryeministri, duhet t’i shikojmë dhe luftojmë ndikimet negative që ekzistojnë midis Kosovës dhe Serbisë. Projekti i lirisë, pavarësisë, anëtarësimi i BE-së, për disa mund të mos jetë i mirëseardhur, por ne do të bëjmë gjithçka që të jetë e mundshme”, theksoi kreu austriak.

Në anën tjetër, udhëheqësi i qeverisë kosovare përsëriti qëndrimet e tij karshi, siç pretendon ai, synimeve të Rusisë ndaj Kosovës, teksa u përgjigj edhe për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në Kosovë.

“Kemi diskutuar edhe për raportin me Serbinë, nuk kemi diskutuar veçanërisht për çështjet e zgjedhjeve të 3 prillit që i organizon Serbia. Ne kërkojmë që të respektohet Kushtetuta dhe rezoluta e 15 janarit të këtij viti. Nuk duam që t’ua pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës. Mund të ketë ndokush që dëshiron destabilizim, që dëshiron eksese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës e as institucioneve të Republikës”, deklaroi Kurti.

“Në të kaluarën, presidenti dispotik Putin, na ka përmendur një herë një muaj. Tash po na përmend disa herë në javë, duke tërhequr paralele false, të paqena, me Krimenë në Ukrainë. Ai, i cili e kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s, dëshiron ta keqpërdorë rastin e Kosovës për ta ushtruar. Ne jemi të brengosur, por nuk jemi të frikësuar. Populli jonë është bashkë dhe partneriteti me BE-në dhe NATO-n, Gjermaninë, Austrinë, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Italinë është e pashkëputshme. Përshtypja ime është që presidenti rus dëshiron të ulet në tryezën e negociatave jo me presidentin Zelensky por me presidentin Biden. Për këtë qëllim të tij, unë kam drojën që ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë”, ritheksoi shefi i Qeverisë.