Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka kërkuar votëbesimin në parlament javën e ardhshme për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme në vend, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për media në Berlin, Scholz njoftoi propozimin e një kërkese në parlament për një votëbesim javën e ardhshme, me debatin e planifikuar për më 16 dhjetor.
“Propozimin tim do ta shpjegoj në detaje në Bundestag të hënën e ardhshme. Nëse anëtarët e parlamentit pranojnë rrugën që kam propozuar, atëherë unë do t’i kërkoj presidentit Frank Walter Steinmeier të shpërndajë parlamentin. Nëse presidenti Steinmeier e mbështet propozimin tim, votuesit gjermanë do të jenë në gjendje të zgjedhin një Bundestag të ri më 23 shkurt. Ky është qëllimi im”, shtoi ai.
Qeveria e koalicionit trepalësh, i udhëhequr nga Scholz, midis partisë së tij Social Demokrate, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë Liberalë (FDP) ra muajin e kaluar, për shkak të mosmarrëveshjeve intensive në lidhje me politikën ekonomike dhe planet e shpenzimeve të qeverisë.
Sistemi politik i Gjermanisë është krijuar për të promovuar stabilitetin qeveritar, me garanci specifike kushtetuese kundër ndryshimeve të shpeshta në udhëheqje. Sipas kushtetutës, zgjedhjet e parakohshme mund të shkaktohen nëse kancelari humbet një votëbesim në parlament dhe presidenti shpërndan parlamentin pas kërkesës së kancelarit.





