Kapet autori i dytë i vrasjes së kryer para 30 vjetësh në Deçan

Prokuroria Themelore e Pejës ka arritur, që në bashkëpunim me organet zvicerane, ta fusë prapa grilave të dyshuarin e dytë për vrasjen e kryer para 30 vjetësh në Deçan,shkruan sot “Koha Ditore”.

Në vjeshtën e vitit 1989, dy vëllezërit, Selim dhe Besim Zenelaj, e kishin vrarë atë kohë 25-vjeçarin Zekë Ukaj, duke e goditur 16 herë me thikë.

Për këtë rast, atë kohë Gjykata e Qarkut në Pejë e kishte dënuar Selim Zenelajn, kurse vëllai i tij Besim Zenelaj ishte arratisur dhe deri tash ka qenë i paarritshëm për organet e hetuesisë dhe të drejtësisë.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Pejës ka mbajtur të premten një konferencë për shtyp, në të cilën ka dhënë detaje për hetimet e zhvilluara prej vitit 2015 e deri në zbulimin e vendndodhjes së të dyshuarit Besim Zenelaj, dhe ekstradimin e tij në Kosovë para dy ditësh.

“Bëhet fjalë për vrasjen që ka ndodhur më 20 tetor të vitit 1989 në Deçan, kur me dashje dhe në hakmarrje të paskrupullt, dy persona, tashmë i dënuari Selim Zenelaj, së bashku me Besim Zenelaj, e kanë privuar nga jeta 25-vjeçarin Zekë Ukaj, duke e goditur me thikë 16 herë, nga të cilat plagë ai kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, tha në këtë konferencë prokurorja e Krimeve të Rënda dhe prokurore e kësaj lënde, Sahide Gashi.