Karim Benzema është shpallur lojtari më i mirë francez

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema është shpallur lojtari më i mirë francez – që luan në ligat e tjera (jashtë Francës).

Benzema po kalon në një sezon fenomenal me Real Madridin.

Ai ishte vendimtar në suksesin e ‘Mbretërve’ në fitoren e La Ligas dhe që madrilenët janë në finale të Ligës së Kampionëve.

Në 31 ndeshje sa ka luajtur gjithsej në ligën spanjolle, francezi ka shënuar 27 gola dhe ka dhuruar 12 asistime.

Edhe në Ligën e Kampionëve sulmuesi ka shifra të jashtëzakonshme, 15 gola dhe dy asistime në 11 paraqitje.

Forma e tij ka bërë që ai të shpallet lojtari më i mirë francez, i cili luan në një ligë tjetër, jo në atë të Francës.

Pas pranimit të këtij çmimi, Benzema tha: “Unë jam sulmuesi që kam ëndërruar të isha”, përcjellë lajmi.net.

Përveç këtij çmimi, francezi është në garë edhe për Topin e Artë.

Së fundmi ,ai është bërë golashënuesi i dytë më i mirë i Real Madridit, me gjithsej 323 gola të realizuara në 603 ndeshje.