KDI kërkon nga KQZ të decertifikojë të gjithë kandidatët që kanë probleme me ligjin

KDI kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor që ta respektojë ligjin dhe të marr vendim për decertifikim e të gjithë kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për certifikim.

“Nëntë vite nga miratimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ asnjëherë nuk ka bërë verifikime për kandidatët nëse i përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhje. Tani po bëhen përpjekjet e para që listat e subjekteve politike të jenë më të pastra. Me ç’rast, KQZ ka kërkuar nga Gjykatat Themelore të Kosovës që të verifikojë 7068 kandidatë që janë certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale nëse janë dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit. Prej tyre, gjykatat kanë gjetur se 86 persona janë shpallur fajtor në tri vitet e fundit”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Siç thuhet në komunikatë të kësaj organizate jo qeveritare, disa prej anëtarëve të KQZ-së kanë hezituar të marrin vendim për decertifikim të këtyre kandidatëve, duke u thirrur në natyrën e këtyre veprave dhe duke kërkuar që të njëjtat të ndahen në kategori.

“Pavarësisht nëse mund të ketë vërejtje në ligj, dhe si i tillë ka nevojë për ndryshime përmes reformës zgjedhore që për vite me radhë po zvarritet nga partitë politike, KQZ ka për obligim që ta zbatojë ligjin ashtu siç është dhe të mos kontestojë vendimet e gjykatave. KQZ nuk është institucion ligjvënës që përmes vendimeve të saj të plotësoj dispozitat ligjore, e as institucion gjyqësor që të ri-verifikoj vendimet për veprat penale të kandidatëve”, thuhet në komunikatë.