Kërkohet mbrojtje më e mirë e të drejtave të refugjatëve

Günter Burkhardt

Në prag të konferencës së dytë për Libinë, aktivistët kërkojnë respektimin më të denjë të Konventës së Gjenevës për Refugjatët. Në veçanti kritikohet bashkëpunimi me rojet bregdetare.

Në Ditën Botërore të Refugjatëve të dielën, organizata e ndihmës Pro Asyl ka paralajmëruar Bashkimin Evropian që të respektojë të drejtat e njeriut edhe më fuqishëm dhe të vendoset në krah të mbrojtjes së të drejtave të refugjatëve. “Shtetet nuk lejohen të refuzojnë hyrjen e refugjatëve në kufijtë e tyre pa kontrolluar më parë nëse ata kanë nevojë për mbrojtje apo jo”, tha drejtuesi i organizatës Pro-Asyl, Günter Burkhardt, për gazetën “Neue Osnabrücker Zeitung”.”Kjo do të thotë që refugjatët kanë të drejtë të kërkojnë azil.”

Burkhardt kritikoi kthimin me dhunë të anijeve në Detin Mesdhe, në ujërat territoriale të Libisë, si dhe sjelljet e rojeve bregdetare të Libisë, si një sulm ndaj të drejtave të njeriut të refugjatëve. Ai theksoi se shumë refugjatë janë torturuar dhe keqtrajtuar në Libi. “Sot të përndjekurit dhe të torturuarit dërgohen me ndihmën e shteteve të BE prapë tek torturuesit e tyre, kështu që ata përfundojnë në mjerimin nga i cili ikën njëherë”, theksoi aktivisti i të drejtave të njeriut.

Ai bëri thirrje që t’i jepet fund politikës së kthimit mbrapa. Bashkëpunimi me “rojet kriminale bregdetare libiane” duhet të ndalet. Gjermania i stërvit ato, Italia ju siguron anije – evropianët nuk duhet të bëjnë gjithçka që kanë mundësi vetëm për të parandaluar ardhjen e refugjatëve. Në kufijtë e Evropës vendoset “nëse të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit do të vazhdojnë të jenë baza e veprimit të shtetit në të ardhmen”.

Konferenca e Libisë të Mërkurën në Berlin

Burkhardt mirëpriti edhe ftesën e ministrit të Jashtëm, Heiko Maas dhe sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres që të mërkurën të mbahet Konferenca e Dytë e Libisë në Berlin. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të stabilizuar këtë vend të Afrikës së Veriut. Nga atje, shumë afrikanë fillojnë udhëtimin e tyre të rrezikshëm përtej Mesdheut drejt Evropës. Procesi i stabilizimit nuk duhet të “ndodhë në kurriz të të drejtave të njeriut dhe në dëm të atyre njerëzve që kërkojnë mbrojtje në Evropë”, thotë drejtori i Pro-Asyl.

Një shumë qytete të Gjermanisë ka filluar një fushatë për pranimin e më shumë refugjatëve, nën moton “Të drejtat e njeriut nuk diskutohen”. “Kampet në kufijtë e jashtëm evropianë janë tallje me konceptin e dinjitetit njerëzor, sepse njerëzit po mbyten me vite të tëra në Mesdhe çdo ditë, ose po kthehen prapë në shtetin e Libisë, ku janë torturuar më parë nga rojet e atjeshme bregdetare”, tha një nga organizatorët, Simon Dornseifer, nga lëvizja ndërkombëtare “Seebrücke”. Kjo lëvizje angazhohet për shpëtimin e refugjatëve dhe krijimin e rrugëve të sigurta të arratisjes në Evropë, si dhe pranimin e përhershëm të refugjatëve në Gjermani.

Pro Asyl dhe organizata të tjera kanë parashikuar që këto ditë të mbajnë tubime, aktivitete dhe demonstrata në mbrojtje të të drejtave të refugjatëve. /dw