Kërkohet paraburgim për hetuesin policor që dyshohet se abuzoi me 16 vjeçaren në Drenas

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgim për zyrtarin policor që dyshohet se abuzoi seksualisht me 16 vjeçaren në Drenas. Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga kjo prokurori, raporton lajmi.net. “Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin në lidhje me rastin e abuzimit ndaj të miturës nga Drenasi, me dyshimin se Hetuesi Policor, V.V, ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin, e sanksionuar sipas nenit 238 paragrafi 1 pika 1.3, të KPRK-së” dhe veprën penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë e sanksionuar sipas nenit 184 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 33 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media. Prokuroria Themelore në Prishtinë me të pranuar informatën, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, sipas urdhëresës së prokurorit kujdestar, i dyshuari, V.V, më 05.02.2019, është ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës, i cili është dërguar në qendër të mbajtjes, në afat prej 48 orësh. Prokurori kujdestar ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit V.V., në drejtim të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin, e sanksionuar sipas nenit 238 paragrafi1 pika 1.3, të KPRK-së” dhe veprën penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë e sanksionuar sipas nenit 184 paragrafin 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 33 të KPRK-së”. Gjykata Themelore në Prishtinë, në ora 14:00, ka caktuar seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e prokurori për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e cekur më lartë. Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke punuar në mbledhjen e të gjitha provave në drejtim të veprave penale të lartpërmendura dhe veprat penale të cilat mund të paraqitën në ndërkohë. Prokuroria do ta mbajë të informuar opinionin për çdo veprim të ndërmarrë në lidhje me këtë rast.